Kurti në mbledhjen e qeverive Kosovë - Shqipëri: Jemi një

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë një, teksa ka folur në hapje të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kurti tha se shqiptarët janë njerëz optimistë, “edhe kur dita nuk është me diell dhe bie shi, themi ‘do të jetë me bereqet’”.

“Këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë, pra me pak fjalë jemi një, pa çka se me dy dialekte që sa shkon e po njehsohen falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit e të tjera”, u shpreh kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka përkujtuar dy-vjetorin e tërmetit që ka ndodhur në Shqipëri, duke thënë se bashkëndjejnë me familjarët e viktimave.

Ai ka shtuar se për herë të parë po merr pjesë në këtë mbledhje si kryeministër i Kosovës.

“Kjo është mbledhja e përbashkët e të dyja qeverive por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Unë vitin e kaluar isha kryeministër katër muaj, në këtë javë në këtë vit janë bërë tetë muaj, kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse edhe si shumë qytetarë tjerë  të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë e cila edhe nuk përshkruhet lehtë e as nuk shpjegohet kollaj”, tha ai.

Kosova dhe Shqipëria, për të shtatën herë me radhë kanë nisur mbledhjen e përbashkët ndërmjet të dy qeverive.

Mbledhja po mbahet në qytetin e Elbasanit në Shqipëri.