Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti në Austri: Pa kërkim falje nga Serbia nuk do të ketë paqe kuptimplotë në Ballkan

Kryeministri Albin Kurti në kuadër të vizitës së tij në Austri është duke marrë pjesë në diskutimin “Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë”, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë.

Kurti në fjalimin hyrës tha se Kosova nuk do t’i harrojë krimet e Serbisë në luftën e fundit në Kosovë dhe se pa një kërkim falje nga shteti serb nuk do të ketë paqe në Ballkan.

Kryeministri i Kosovës tha se zgjidhja e situatës në Ballkanin Perëndimor dhe ndoshta ecja para do të ishte evropianizimi dhe demokratizimi i plotë i shteteve.

“Pse ne shohim tensione në çdo vend në Ballkanin Perëndimor është sepse agresori, Serbia, që ka nisur të gjitha luftërat në rajon, refuzon të marrë përgjegjësi. Edhe pas gjenocideve të kryera nga Serbia, ajo nuk pranon asnjë krim dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka marrë përgjegjësi. Pa kërkim falje nga Serbia paqja kuptim-plotë në Ballkan është e pamundur. Në vend që të kërkojë falje ajo vazhdon t’i kërcënojë fqinjët dhe t’i përdor pakicat si vegël për destabilizim”- tha Kurti në Austri.

Ai përmendi edhe varrezat masive të gjetura në Serbi, jo larg Beogradit duke thënë që ‘nuk ka asnjë pllakë kujtese se aty ka pasur një varrezë masive’.

“Ne nuk do t’i harrojmë të pagjeturit. Nuk do t’i harrojmë as 1,616 fëmijët që janë zhdukur në luftën e fundit”- theksoi Kurti.

Kurti në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës u pyet edhe për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Kosovë; planet për zhvillim ekonomik në Kosovë dhe për prioritet e Kosovës.