Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti: Kërkova tri garanci, nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur pasi ekzekutivi kosovar ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet nga ai të vëna ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti në një prononcim për media tha që konsideron se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Kosovës por edhe e Bashkimit Europian.

“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjen së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Europian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu qoftë në nivel të kryeministrit me presidentin, qoftë në nivel të kryenegociatorëve”- tha ai.

Kryeministri nënvizoi se nga hera e fundit kur ka pasur takim trelateral me Vuçiq, kanë ndodhur shumëçka, përfshirë këtu edhe sulmin terrorist në Banjskë.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim trelateral ka qenë me 14 shtator të vitit të kaluar, pra dhjetë ditë para sulmit terrorist në Banjskë dhe që prej atëherë nuk kemi pasur takim trelateral. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur po gjithashtu ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike të cilën para 27-shes europiane e ka lexuar dhe deponuar ish-kryeministrja serbe”- tha ai.

Kurti tha se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijne nëpërmjet tri garancive që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi  marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.

“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë se do të respektohen. Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se do të ketë një diskutim në nivel të kryenegociatorëve në fillim të korrikut.

“Do të ketë diskutim të kryenegociatorëve në fillim të korrikut por nuk mund të keni praktikisht zbatim të marrëveshjes për çka ne jemi shumë të interesuar pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin që besojmë se kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave”- nënvizoi Kurti.

Një takim trepalësh ishte planifikuar që të ndodhte sot mes Kurtit dhe Vuçiq, me ndëmjetësim të BE-së. Mirëpo, sipas Borrell tha se Kosova nuk ishte e gtashme për takim trepalësh, teksa theksoi se Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit.

“Po e citoj: ”E para formalizmi i marrëveshjes bazike përmes nënshkrimit nga shefat përkatës të qeverive; E dyta tërheqja e letrës zyrtare që u dërgua nga ish-kryeministrja e Serbisë, më 13 dhjetor 2023”, po flasim ende për gjëra që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë dhe “E treta; dorëzimi i Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, këto ishin tri kërkesat e prezantuara nga kryeministri Kurti”- ka deklaruar Borrell t’i ketë thënë Kurti.

Borrell tha se Serbia nuk ishte e gtashme që t’i plotësoj në tërësi kushtet e Kosovës, duke u cituar në shkelje kushtetuese.

Dy liderët për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në anën tjetër, në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.