Kurti: Ideja se Kosova po kryen persekutim ndaj serbëve është thjesht gënjeshtër

Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit e ka quajtur gënjeshtër deklarimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se në Kosovë ka perskutim ndaj qytetarëvë serbë.

Kurti në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se një ide e tillë është thjeshtë gënjeshtër.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

“Serbët që largohen nga Kosova dhe ata që largohen nga Serbia e bëjnë këtë për të kërkuar mundësi në Europë, jo për t’i ikur ndonjë spastrimi etnik” – tha kryeministri i Kosovës.

Para fjalimit të Kurtit, Vuçiq komentoi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, e cila parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja.

Vuçiq tha se kjo rregullore mund të krijoj dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë kanë krijuar këtë territor kushte të padurueshme për serbët. Situata e tillë në mungesë të reagimit të mirëfilltë mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë” – u shpreh ai.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia përfaqësohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

Në këtë seancë, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Vuçiq për Rregulloren e BQK-së: Mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë