Kurti i shkruan Zëvendës Presidentit të SHBA-së: Thaçi nuk e ka informuar Grenellin si duhet

Zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar për KALLXO.com dërgimin e një letre nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për numrin dy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zëvendës Presidentin Mike Pence, në mes të muajit prill të këtij viti.

Sipas ZKM-së, kryeministri Kurti përmes kësaj letre ka shprehur shqetësimet e tij mbi planet e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territorial dhe mos-informimin e duhur të ambasadorit amerikan Richard Grenell.

“Ai (Kryeministri Albin Kurti) nuk është ankuar për Ambasadorin Grenell, por ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e Presidentit Thaçi për shkëmbim territorial, eufemizëm për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë për KALLXO.com.

Në përgjigje ata kanë shtuar se raportimet se ka ka pasur ankesa ndaj ambasadorit Grenell në letrën e Kurtit për zëvendëspresidentin amerikan, nuk qëndrojnë.

Kryeministri Kurti, në po këtë letër, sipas Zyrës së Kryeministrit, e ka njoftuar Zëvendëspresidentin Pence në lidhur me situatën politike në Kosovë dhe për diskutimet për krijimin e një qeverie të re, pas rrëzimit të qeverisë Kurti në Kuvend.

“Kryeministri Kurti poashtu e ka njoftuar Zëvendës Presidentin Pence lidhur me zhvillimet politike  në vend dhe gatishmërinë e treguar nga Presidenti Thaçi dhe partitë opozitare për të vepruar kundër vullnetit të qytetarëve të shprehur qartë më 6 tetor, dhe kundër parimeve kushtetuese dhe demokratike duke tentuar të shmangen zgjedhjet e parakohshme”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.

Në fillim të muajit marsi, kryeministri Kurti i kishte shkruar letër edhe presidentit amerikan Donald Trump, ku e kishte njoftuar për vendimin për heqjen e pjesshme të tarifës prej 100% të produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kryeministri në detyrë Kurti para disa javësh kishte deklaruar publikisht duke thënë se ambasadori Richard Grenell është i përfshirë në krijimin e krizës politike në Kosovë.

Ndërsa, në intervistën që kryeministri në detyrë e kishte dhënë për emisionin “Jeta në Kosovë, gjatë muajtir prill kishte zbardhur diskutime me ambasadorin Grenell, ku ky i fundit sipas Kurtit ka deklaruar se është për aksion dhe jo për dialog.