Kurti i kritikon për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, opozita përmend sanksionet

Kryeministri Albi Kurti ka kritikuar partitë opozitare për mos ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke ngjallur më pas një serë reagime nga deputetët opozitarë të cilët e akuzuan atë si përgjegjës për sanksionet ndaj Kosovës.

Kurti tha se janë shtatë marrëveshje që janë në pritje të miratimit në Kuvend, duke theksuar se vlera totale e tyre kalon shifrën prej 360 milionë euro.

Ai tha se për faktin që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve pajtohen edhe opozita por ata nuk po i miratojnë këto marrëveshje.

“E vërtetë që na e bëni punën me të vështirë, por megjithatë Qeveria mund ta vazhdojë mandatin edhe pa marrëveshje ndërkombëtare, por më këtë mos-votim humbin qytetarët, sepse projektet nuk bëhen”- tha Kurti.

Sipas Kurtit, që nga viti 2011 deri 2020 kur LVV ka qenë opozitë, në Kuvend janë votuar 377 marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa prej tyre, sipas Kurtit vetëm tri nuk i ka mbështetur LVV.

Lidhur me këtë deklaratë, kreu i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi tha se Kurti e ka bërë shtetin e Kosovës të duket jo serioz në raport me partnerët ndërkombëtarë.

“Nuk ka përgjegjësi opozita për faktin që jena ndër masa ndëshkuese nga BE dhe SHBA. Jeni ju dhe Qeveria e juaj. Kosova është e përjashtuar nga programe financiare të BE-së dhe ju thoni po i humbim mjetet” – tha Krasniqi.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se edhe nëse votohen këto marrëveshje nuk implementohen për shkak të sanksionimit.

“Përderisa nuk heqin këto sanksione, votoi e nuk votoi, ju nuk keni me i marrë ato miliona sepse ti je personi që e ke sjell Kosovën në sanksione nga BE e Amerika” – ka thënë ajo.

Dje, votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i një tjetrës, janë bartur një seance tjetër të Kuvendit të Kosovës, pasi nuk patën kuorumin e mjaftueshëm për tu kaluar.

Në korrik të këtij viti, PDK-ja ishte deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votime, “deri në seancën kur do të shpërbëhet Kuvendi”.

Ndërkaq, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë që të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, përveç marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Dje në rend të ditës ishin në votim tri marrëveshje ndërkombëtare; Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit; otimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës” dhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Nuk miratohen asnjëra nga katër marrëveshjet ndërkombëtare, PDK dhe AAK nuk marrin pjesë në votim