Albin Kurti dhe Benedikt Gudmundsson/ Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti fton përfaqësuesit e grupit të inovacionit “Yes-EU” të investojnë në Kosovë

Në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, kryeministri Albin Kurti, është takuar me përfaqësues nga grupi i inovacionit “Yes-EU”.

Delegacioni i këtij grupi udhëhiqej nga drejtuesi Benedikt Gudmundsson, e ku pjesëmarrës ishte dhe ish- ministri i Punëve të Jashtme të Islandës, Össur Skarphedinsson.

Grupi “Yes-EU” është i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inovacionit për projekte të ndryshme të zbatuara, të fokusuar dhe specializuar në projekte të energjisë, me theks në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme si dhe transportit të gjelbër.

Siç njoftohet nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Qeveria, kryeministri Kurti i ka njoftuar përfaqësuesit e “Yes-EU” me “zhvillimin e progresin ekonomik që ka njohur vendi ynë në tri vitet e fundit e veçanërisht avancimet në fushën e energjisë dhe teknologjisë, përkatësisht investimet në këto sektorë”.

“Ai [Kurti] shprehu përkushtimin e Qeverisë për investime të gjelbra me synim reduktimin e emetimit të karbonit dhe promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, me qëllim mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në komunikatë.

Kurti i ka ftuar përfaqësuesit e “Yes-EU” që të investojnë në Kosovë, si një vend që ofron hapësirë të volitshme të zhvillimit, të prodhimit të energjisë së gjelbër dhe avancimit të teknologjisë.

Gjatë samitit, Kurti ka mbajtur një fjalim, ku ka thënë se Kosova nuk ka probleme me popullin serb, por me qeverinë e Serbisë.

“Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë me serbët, por me Beogradin që nuk u distancua as me Millosheviqin e as me Putinin. Pra, problemi është me fqinjin tonë verior, jo si popull, por si qeveri- si regjim”, është shprehur Kurti.

Ai e ka përmendur diskriminimin pozitiv që kanë serbët në Kosovë, mes tjerash 10 vendet e garantuara në parlament si dhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë.