Albin Kurti dhe Sabri Tunç Angılı. Foto: ZKM

Kurti falënderon ambasadorin e Turqisë për dërgimin e ushtarëve në KFOR

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e thellimit dhe rritjes së bashkëpunimit në sfera të interesit reciprok.

Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, i shprehu ambasadorit falënderimin e tij për kontingjentin e ri prej afër 500 ushtarëve turq në KFOR, duke cilësuar se kjo i kontribuon sigurisë dhe paqes në Kosovë.​

Trupa e Turqisë të misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR janë parë sot në Zubin Potok, në afërsi të objektit komunal të këtij qyteti, i cili deri më sot është siguruar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por që në afërsi ka pasur edhe pjesëtar të misionit.

Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.

Në anën tjetër, situata u tensionua tutje edhe pas arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune më 13 qershor nga Policia e Kosovës.

Llune dyshohet se ka sulmuar zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri, e që po ashtu dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Një ditë pas arrestimit të Llunes, tre zyrtarë policorë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga autoritetet e Serbisë, derisa Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ende nuk dihet vendndodhja e tyre.

Për kidnapimin e tyre, pati reagime të shumta.

Një deklaratë u dha në mbrëmjen e sotme edhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ky mision iu është referuar rastit si “arrestim nga policia e Serbisë”, asaj që institucionet tona po i referohen si kidnapim.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe” – ka thënë KFOR.

Një vizitë tek këta policë u tentua të bëhet të enjten nga Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, por kjo vizitë nuk iu është lejuar.

Në seancën e sotme Kurti gjithashtu ka deklaruar se ende janë në pritje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar.

Kurti u shpreh se KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte mandat edhe ta parandalonte.

Thirrje për lirimin e policëve të Kosovës të kidnapuar nga Serbia ka bërë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp tregoi se SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe.

Sot u njoftua se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, e gjithashtu në mëngjesin e së enjten u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Përderisa në mbrëmje, kryeministri Kurti pati një takim informues edhe me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Kurti i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që sipas Zyrës së Kryeministrit dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.

Albin Kurti dhe Sabri Tunç Angılı. Foto: ZKM