Kurti: Faktori ndërkombëtar të mos i mbyll sytë para nxitjes së Serbisë (VIDEO)

Grupe kriminele i quajti sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti personat që shkaktojnë trazira në veri të Kosovës.

Ai tha se janë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia.

“Është për të ardhur keq që grupe të ndryshme kriminale në Veri të Ibrit, por gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucione të shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj”, tha Kurti në kuadër të Forumit socio-ekologjik në Shkup, transmeton RTV21.

Më tej, Kurti u ka bërë thirrje qytetarët e Kosovës të ruajnë qetësinë, ndërkaq faktori ndërkombëtarë të mos i mbajë sytë para nxitjes së regjimit autokrat të Kosovës.

“Qytetarët të ruajnë qetësinë, meqenëse individë e grupe kriminale nuk mund të ngadhënjejnë mbi shtetin tonë, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare, faktori ndërkombëtar do të duhej të mos i mbyllnin sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta luftojnë dhe kundërshtojnë shtetin tonë”, tha më tej Kurti.

Ndryshe, rreth orës 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.