Takimi në Bruksel/ Foto: BE

Kurti dhe Vuçiq nuk pritet të takohen në Bruksel pa u takuar paraprakisht kryenegociatorët

Një takim i mundshëm i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk pritet të realizohet pa u zhvilluar një takim paraprak në nivel kryenegociatorësh.

Kështu të paktën ka paralajmëruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Kallxo.com.

Duke mos dhënë asnjë datë se kur BE planifikon të organizoj takim me palët në dialog, ai ka thënë se organizimi i takimeve të nivelit të lartë varet nga një sërë faktorësh.

Aty, Stano ka përfshirë “datën, agjendën dhe vullnetin e dakorduar reciprokisht nga të dyja palët për të ecur përpara në një frymë evropiane”.

Stano ka theksuar se takimeve të nivelit të lartë zakonisht i paraprin një takim ose takime të kryenegociatorëve të dialogut, respektivisht mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.

“Takimet e nivelit të lartë zakonisht paraprihen nga takimi ose takimet e Kryenegociatorëve, të cilët përgatisin terrenin për përcaktimin e agjendës dhe marrëveshjeve apo progresit të mundshëm. Në këtë fazë nuk kemi asnjë njoftim për të bërë për datën e takimit të radhës të nivelit të lartë”- është shprehur Stano.

Për takim të mundshëm mes Bislimit dhe Petkoviq, Stano thotë se do të njoftojnë me kohë dhe kur është e përshtatshme, duke shtuar se në këtë fazë nuk kanë ndonjë njoftim.

Për çështjen e takimeve të nivelit të lartë, KALLXO.com i është drejtuar edhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk është marrë asnjë përgjigje.

Takimi i fundit deri më tani në kuadër të dialogut, mes Kurtit dhe Vuçiqit me ndërmjetësim të BE-së, u mbajt më 14 shtator 2023.

Kurti pati deklaruar se në këtë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të 18 marsit.

Ai pati thënë se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Që nga viti 2021, procesi i dialogut nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Palët, përgjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.