Kurti: Deri sot janë lëshuar 1,012 qortime, asnjë incident nuk është shënuar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit, tha se si qeveri dëshirojnë sundim të ligjit dhe se mungesa e tij është kërcënim.

Sipas tij, me këtë kërcënim po përballen më së shumti qytetarët në katër komunat në veri të vendit.

“Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit, nuk është zgjedhje, është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë, me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit” – ka deklaruar Kurti.

Kurti ka njoftuar se deri sot janë lëshuar 1 mijë e 12 qortime, duke shtuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe asnjë ankesë nuk është regjistruar.

“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona e as afatet që parashihen në to. 1,012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ta që e kanë problem ligjin.  Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve te Kosovës, janë ata të cilëve ju pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe i korrupsionit në vendin tonë” – tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit sërish u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bojkotojnë apo braktisin institucionet e vendit.

“Ne jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim. Republika e Kosovës është shtete i popullit të lirë. Bëjë thirrje edhe njëherë që të mos bojkotohen e braktisen institucionet tona. Dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë”- u shpreh Kurti.