Festivali Mirëdita Dobar dan në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Kundërshtimi i kryetarit të Beogradit s’ndikon në festivalin “Mirëdita, dobar dan”, thonë organizatorët

Drejtoresha e programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, tha se mbajtja e festivalit “Mirëdita, dobar dan” nuk do të ndikohet nga fakti se kryetari i Beogradit deklaroi se administrata e qytetit nuk do të japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e këtij festivali.

“Deklarata e Aleksandar Shapiqit nuk ndikon në organizimin e festivalit, sepse festivali është mbajtur kryesisht në hapësira private për vite. Festivali nuk e fyen askënd, në asnjë mënyrë nuk fyen apo kërcënon festat në Serbi”, tha Todoroviq për Radion Evropa e Lirë të shtunën.

Të shtunën më herët, Aleksandar Shapiq tha se derisa ai të jetë në krye të kryeqytetit serb, nuk do ta japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e festivalit, pavarësisht se kjo ngjarje ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

“Në lidhje me ndalimet e shkëmbimeve kulturore, Nisma Rinore është një organizatë që dënon publikisht veprime të tilla nga cilado palë, dhe vitin e kaluar kemi përgatitur një analizë që merret me këto çështje me një organizatë nga Mitrovica e Veriut, të cilën e kemi prezantuar në opinion. Shapiq beson në hakmarrje, ne jo, ne besojmë në bashkëbisedim edhe në rrethanat më të vështira, në paqe dhe ndërtimin e marrëdhënieve”, tha Todoroviq.

Ajo tha se “veçanërisht shqetësues është fakti që edhe debatet përmenden në kontekst negativ, nëse përfaqësuesit e institucioneve tona publikisht promovojnë se nuk ka dialog dhe bisedime, nëse ato nuk bëhen tamam siç lejojnë ata”.

“Sa fat që qyteti i Beogradit është në shërbimin tuaj, sepse do të thotë se ai është i gatshëm të kontribuojë në procesin e quajtur dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rrugën evropiane të Serbisë, e cila në më së paku, sipas përfaqësuesve më të lartë, është përcaktimi strategjik i vendit tonë”, tha ajo.

Sipas portalit zyrtar të qytetit, Beoinf, Shapiqi është shprehur kundër mbajtjes së festivalit, sepse, siç pretendon njeriu i parë aktual i kryeqytetit, “vite më parë [festivali] falsifikoi dhe ndryshoi drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.

“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, tha Shapiq.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë “të mendojë mirë” nëse manifestime të tilla duhet të lejohen në Serbi, sepse “ato dëmtojnë drejtpërdrejt rendin tonë kushtetues dhe juridik”.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë në vitin 2021.

Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. REL