KShC miraton standardet e reja për studimet e doktoratës

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e djeshme miratoi standardet e reja për akreditim të programeve të doktoratës.

Sipas këtij vendimi, parashihet që kandidati para se të doktorojë duhet të ketë të publikuar të paktën një punim shkencor në revista shkencore të indeksuara në platformat Web of Science ose SCOPUS.

“Miratimi i standardeve të doktoratës vjen pas një pune të gjatë dhe gjithëpërfshirëse të të gjithë akterëve që merren me cilësinë në arsimin e lartë. Një kontribut për përpilimin e këtyre standardeve, kanë dhënë anëtarët vendorë dhe ndërkombëtarë të KShC-së”, ka bërë të ditur Agjencioni i Akreditimit në një komunikatë për media.

Tutje është thënë se nëpërmes këtij vendimi garantohet që institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë studime të doktoratës duhet të plotësojnë njërin nga kriteret bazike, që ka të bëjë me hulumtimet shkencore të indeksuara në revista kredibile ndërkombëtare.

Dje, KShC po ashtu aprovoi vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për akreditimet institucionale të 13 institucioneve të arsimit të lartë.

Me këtë është rikthyer akreditimi për tri universitetet publike dhe vazhdimi i akreditimit për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt i është vazhduar akreditimi instuticional edhe për tri vite.

Pavarësisht pandemisë me COVID-19, Agjencia e Kosovës për Akreditim kishte bërë vlerësimin e institucioneve nga distanca dhe ka përfunduar vlerësimin e 14 institucioneve të arsimit të lartë, që i’u ka skaduar akreditimi, prej tyre 5 universitete publike dhe 9 kolegjeve private.