Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KShC deklarohet për dorëheqjen e tre anëtarëve ndërkombëtarë nga ky këshill

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) përmes një komunikate për media, ka konfirmuar dorëheqjen e tre anëtarëve ndërkombëtarë nga ky këshill.

Sipas KShC-së, Pas përfundimit të mbledhjes së sotme, tre anëtarët ndërkombëtarë të njoftuan për dorëheqjen e tyre, “si pasojë e mospajtimit për deklarimin publik të pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit”.

KALLXO.com ka raportuar për anëtarët e dorëhequr.

Ndërsa KShC-ja tutje ka njoftuar se në kuadër të pikave të rendit të ditës të mbledhjes së trye sot, u shqyrtuan raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit në nivel institucional dhe të programeve.

“KShC ka marrë vendim për të gjitha raportet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe në këtë mënyrë është krijuar mundësia për hapjen e konkurseve për pranimin e studentëve në vitin e ri akademik 2021/2022 në të gjitha institucionet dhe programet e akredituara në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, KShC thotë se ka shqyrtuar dhe ka marrë vendim për të gjitha ankesat dhe kërkesat e paraqitura në këtë institucion.

“Gjatë kësaj jave në ueb faqen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim do të publikohet vendimet e KShC-së dhe raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithë komunitetit akademik, studentëve dhe të punësuarve në institucionet e akredituara të arsimit të lartë, KShC ju ka uruar suksese në vitin e ri akademik.