Gjykata në Prizren

Kryetari i Dragashit: Komuna nuk u dëmtua nga zgjedhja e operatorit më të shtrenjtë për dru e pelet

Kontrata e nënshkruar për furnizim me dru për ngrohje dhe pelet nga zyrtari i prokurimit të Dragashit Nuro Ismaili, solli në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e kësaj komune Shaban Shabani.

Ismaili ngarkohet se ka lidhur kontratë me një operator më të shtrenjtë pa i plotësuar të gjitha dokumentet si dhe dështoi të marr sigurinë e tenderit.

Shabani ka deklaruar se komisioni vlerësues, pjesë e të cilës ka qenë edhe ai, ka zgjedhur operatorin i cili ka qenë më i përgjegjshëm dhe i kompletuar pavarësisht çmimit më të lartë.

“Do të ishte mirë të zgjidhet ofertuesi më i lirë, por nëse nuk i plotëson kriteret atëherë zgjidhet ofertuesi më i përgjegjshëm edhe pse është me çmim më të lartë”, ka shtuar Shabani.

Në gjykim kryetari i komunës ka thënë se dy operatorët e parë nuk i kanë plotësuar kriteret e caktuara, prandaj me zgjedhjen e operatorit të tretë për furnizim me dru e pelet nuk ka ndonjë shkelje apo dëm.

“Zyrtari i prokurimit nuk ka pas zgjidhje tjetër pos ta nënshkruaj kontratën me operatorin më të shtrenjtë të vlerësuar sipas komisionit”, tha në dëshminë e tij Shabani0.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së sigurimit tenderit, dëshmitari ka vlerësuar se kjo nuk ka qenë e paraparë me ligj andaj edhe zyrtarët e prokurimit nuk kanë mundur ta kërkojnë.

Sipas aktakuzës të datës 30 nëntor 2020, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Dragashit, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”.

Ismaili, sipas aktakuzës, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin, ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Ismaili akuzohet se ka dështuar që të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumën prej 3 mijë eurove për furnizim me dru për ngrohje dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

“Pa i plotësuar të gjitha dokumentet, lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës”, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime, Ismaili po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shkrimet në lidhje me këtë aktakuzë mund t’i lexoni në këtë LINK.