Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Kryetarët e komunave në veri: Vjosa Osmani nuk perceptohet si presidente në veri të Kosovës

Gjatë ditës së sotme Lista Serbe ka reaguar duke thënë se njoftimi i presidentes Vjosa Osmani, për vizita nëpër komunat e Kosovës, përfshi edhe komunat veriore, është një provokim.

“Njoftimin e Vjosa Osmanit për vizita e perceptojmë si provokim të qytetarëve serbë dhe një formë tjetër të presionit për popullin tonë, veçanërisht në dritë të aksioneve anti-serbe dhe deklaratave anti-serbe që Osmani i ka bërë në periudhën e kaluar” – thuhet në reagimin e publikuar nga Lista Serbe.

Tutje në po të njëjtin njoftim thuhet se në veri të Kosovës, Vjosa Osmani nuk perceptohet si presidente.

“As ne dhe as qytetarët tanë dhe përderisa ajo është e tillë, nuk ka çfarë të kërkojë as në veri të Kosovës” – thuhet tutje në reagim.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se Osmani nuk ka vizituar këto ditët e fundit veriun e Kosovës ndërsa e njëjta, ka nisur një cikël të vizitave nëpër komuna të ndryshme.

Gjatë ditës së djeshme në agjendën e Presidentes Osmani ka qenë vizita e Komunës së Mamushës.

Zyra e presidentes Osmani, në njoftimin e dërguar për vizitën në këtë komunë ka përmendur edhe se ka nisur vizitat nëpër komuna të ndryshme.