Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Kryesindikalisti i KEK-ut: Nëse na mbyllen të gjitha dyert, greva është rruga e vetme

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, mund të hyjnë në grevë.

Shujta për punëtorët, rritja e pagave, zbatimi i marrëveshjes kolektive, pagesa e punës në ditët e fundjavës janë disa prej kërkesave që ka përmendur Llumnica.

“Ne i kemi pas disa kërkesa me shkrim ndaj drejtorit dhe bordit por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje as me shkrim por as kur jemi takuar për çështje si shujtën e ushqimit apo ngritjen e pagave. KEK është ndërmarrja e vetme në Kosovë që nuk zbaton marrëveshjen kolektive. Kemi punëtorë me ndërrime të cilëve nuk u paguhen vikendet. Nëse nuk kemi takime dhe nuk thirremi për këto kërkesa atëherë një ditë do të vijmë tek protestat dhe grevat. Nëse na mbyllin të gjitha rrugët, kjo do të jetë rruga e vetme” – tha ai.

Kryesindikalisti Llumnica tha për KALLXO.com se që nga 14 prilli nuk janë takuar me drejtorin, Nagip Krasniqi, duke e quajtur këtë injorim nga ta.

Llumnica tha se punëtorët e KEK-ut moti kanë kërkuar të hyjnë në greva por duke parë krizën energjetike kanë sakrifikuar për hir të situatës.

“Që nga 14 prilli nuk jemi takuar me drejtorin edhe pse ai ka thënë se do të zhvilloj takime të rregullta çdo tre muaj, por nuk po e respekton atë. Të gjitha këto kërkesa ne i kemi pas që nga viti i kaluar dhe prej 14 prilli nuk jemi takuar fare edhe pse e kemi kontaktuar dy herë me e-mail dhe me telefon. Takimet me punëtorë i mbajmë rregullisht, nëse i dëgjojmë kërkesat e punëtorëve që moti do të hinim në grevë por duke e parë situatën me krizë energjetike i kemi sabotu ata për hirë të situatës por nëse vazhdon kështu kjo sjellje injorante nga bordi i drejtorëve dhe drejtori menaxhues nuk do të kemi zgjidhje tjetër” – tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, po ai ka udhëzuar KALLXO.com që t’i drejtohet Zyrës për Media të KEK-ut. KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje në Zyrën për Media të KEK-ut dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Që nga 25 gushti në Kosovë ka filluar greva e përgjithshme.