Kryeministri Kurti u takua me ambasadorin britanik, diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për temat aktuale

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Sipas njoftimit, ata kanë folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Ambasadës britanike në Kosovë.

Ndërsa thuhet se diskutuan edhe për temat aktuale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Kurti dhe Abbott reflektuan e diskutuan mbi zhvillimet gjatë vitit 2023, sfidat dhe arritjet e Qeverisë, mundësitë për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral për shkëmbim e zhvillim, siguri e paqe dhe planet e pritjet për vitin e ardhshëm.

Në kuadër të procesit të dialogut, SHBA dhe BE në tetor të këtij viti i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.