Krujë, arrestohet një 44-vjeçar që hodhi në bërllok fletëvotimin e tij dhe të së ëmës
Një 44-vjeçar me inicialet B.T. është ndaluar sot në Krujë gjatë kohës kur po mbaheshin votimet për zgjedhjet lokale në Shqipëri.
44-vjeçari është arrestuar pasi ka shkuar në qendrën e votimit dhe ka marrë me vete fletëvotimin e tij dhe të nënës së tij e më pas ka dalë nga qendra e votimit, i ka dëmtuar ato dhe i ka hedhur në koshin e mbeturinave.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Shtetit përmës një njoftimi në Facebook.
Policia ka njoftuar se kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 13:50 dhe ka sqaruar se Komisioni i Qendrës së Votimit në Krujë, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi B. T. kishte marrë dy fletë votimi nga qendra e votimit dhe ishte larguar.
“Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, shtetasi B. T., 44 vjeç, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”- është bërë e ditur në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, Policia ka sekuestruar dy fletët e votimit që 44-vjeçari mori nga qendra e votimit.
Ndërkaq, Prokuroria po vazhdon hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Sot po mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.
Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin