KRU "Prishtina" fillon shkyçjet për borxhlinjtë, përjashtohet sektori shtëpiak

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se me vendim të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), do të fillojë shkyçjen nga shërbimet ujësjellësit dhe kanalizimit për të gjitha institucionet dhe bizneset që kanë borxhe të pashlyera ndaj kësaj kompanie, me përjashtim bën sektori shtëpiak.

“Bazuar në vendimin e ARRU-së të datës 29 mars 2022, KRU “Prishtina” do të fillojë shkyçjen nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për të gjitha institucionet dhe bizneset që kanë borxhe të pashlyera ndaj kësaj kompanie, përjashtim bën sektori shtëpiak / i amvisërisë”, njofton KRU “Prishtina”.

KRU “Prishtina” i ka ftuar konsumatorët që të nënshkruajnë kontratën për shërbime.

“Ftohen të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit që të nënshkruajnë kontratën për shërbime me KRU”Prishtina” sh.a. Me Kontratë të shërbimeve të ujit rregullohen marrëdhëniet juridike, gjegjësisht të drejtat dhe obligimet, përfshirë edhe të drejtën për kompensim midis palëve kontraktuese, për ofrimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim është bërë e ditur se do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit të gjithë konsumatorët të cilët keqpërdorin ujin e pijshëm.

“Do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit pa përjashtim,  të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit të cilët keqpërdorin ujin e pijshëm në të gjitha format”, është bërë e ditur në njoftim.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të KRU “Prishtina”:

– Bazuar në Vendimin e ARRU-së të datës 29 mars 2022,  KRU “ Prishtina ” do të fillojë shkyçjen nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit për të gjitha institucionet dhe bizneset që kanë borxhe të pashlyera ndaj kësaj kompanie, përjashtim bën sektori shtëpiak / i amvisërisë.

– Ftohen të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit që të nënshkruajnë kontratën për shërbime me KRU”Prishtina” sh.a. Me Kontratë të shërbimeve të ujit rregullohen marrëdhëniet juridike, gjegjësisht të drejtat dhe obligimet, përfshirë edhe të drejtën për kompensim midis palëve kontraktuese, për ofrimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura. Kontrata përmbanë: Të drejtat dhe obligimet e palëve për shërbimet e ofruara, të drejtat dhe obligimet e konsumatorit, faturimi për shërbime të ofruara, ankesat / kërkesat dhe shqetësimet e konsumatorit e shumëçka tjetër të bazuara në dispozitat  ligjore, të cilat do u kumtohen direkt konsumatorit para nënshkrimit obligativ  të kontratës për shërbime.

– Do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit pa përjashtim,  të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit të cilët keqpërdorin ujin e pijshëm në të gjitha format.

– Nga java e ardhshme fillon intensivisht identifikimi i lidhjeve të paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit, ngase rrezikohet furnizimi me ujë të pijshëm.

– Kemi rritje të inicimit të rasteve për lidhje të paautorizuara, 10 kallëzime penale vetëm 3 muajt e fundit,  të cilat janë procesuar në Prokurorinë e Republikës së Kosovës.