Ende nuk është marrë vendim për rritjen e çmimit të ujit, rritja e mundshme do të jetë një cent
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARrU) ka thënë se ende nuk është marrë vendim për rritjen e çmimit të ujit.
Zyrtarja për Informim në ARrU, Lule Aliu, ka thënë për KALLXO.com se nëse do të shtrenjtohet apo jo, do të vendoset në fund të muajit dhjetor.
Aliu ka treguar për KALLXO.com se edhe nëse do të ketë rritje të çmimit, do të rritet për një cent për metër kub ujë apo 2.3%.
“Nëse lëviz çmimi ka me lëviz vetëm për një cent në metër kub. Jemi në fazën e fundit të caktimit të çmimeve, çmimet finale dihen në fund të procesit, më 31 dhjetor kur edhe i lëshojmë urdhëresat tarifore”, ka thënë Aliu.
Aktualisht, për konsumatorët shtëpiakë, tarifat aktuale për shërbimet e ujësjellësit për një metër kub ujë janë 0.43 euro, kurse për konsumatorët komercialë dhe institucionalë 0.69 euro. Nëse çmimi do të rritet për një cent për metër kub ujë, atëherë për konsumatorët shtëpiakë tarifa do të jetë 0.44 euro ndërsa për ata komercialë dhe institucionalë 0.70 euro për metër kub.
Vendimi pritet të përcillet tek të gjitha kompanitë regjionale të ujit më 31 dhjetor të këtij viti.
Së fundmi ka pasur rritje të çmimeve të ushqimit, biletave të autobusëve dhe disa shërbimeve.
Po ashtu, Kosova është duke u përballur edhe me një krizë energjetike.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka hapur procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, pas kërkesave që janë parashtruar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesi për Shërbim Universal për Energji Elektrike (KESCO).
Këto të fundit kanë kërkuar shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, për të reflektuar çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.
Tarifat e energjisë elektrike pritet të rriten të paktën 5%.
Sipas ZRrE-së, muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, e cila rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.
Ndërprerjet e energjisë ditëve të fundit në Kosovë janë evidente. Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen edhe përmes njoftimeve zyrtare nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).
Pamundësia për të përmbushur kërkesat për energji elektrike i ka theksuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes, termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ në Obiliq kanë arritur të prodhojnë 759 megavatë, derisa kërkesa për energji ka qenë 1,113 megavatë.
Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.
Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor si në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Të dy nga këto shtete kanë shpallur krizë energjetike.