Kremlini: Me Ukrainën bisedojmë nëse ata i ulin armët

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov thotë se Moska do të jetë e gatshme të zhvillojë bisedime me Kievin vetëm pasi ushtria e Ukrainës t’i ketë dorëzuar armët.

Lavrov gjithashtu pretendoi se Rusia dëshiron që populli ukrainas të jetë i pavarur dhe ta ketë mundësinë ta përcaktojë lirisht fatin e tij, por paralajmëroi se Kremlini nuk dëshiron që “neo-nazistët” të qeverisin fqinjin e Rusisë.

Ai shtoi se Rusia nuk sheh asnjë mundësi për ta njohur qeverinë aktuale të Ukrainës si demokratike.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania e Madhe tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “në përballimin e agresionit rus”.

Sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë./Al Jazeera