Foto: Partia Demokratike e Kosovës

Krasniqi: Për PDK-në i papranueshëm çfarëdolloj statuti për Asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryesinë e partisë dhe kryetarët e degëve.

Ata diskutuan për zhvillimet politike dhe për draft-statutin e Asociacionit, për të cilin u tha se krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.

“Kryetari Krasniqi ripërsëriti qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, krijon një nivel të ri të pushtetit dhe ka kompetenca ekzekutive” – thuhet në komunikatën e PDK-së.

Si çdo herë, PDK ishte kritike ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se për shkak të keqqeverisjes së saj, viti 2023 u karakterizua me degradim në arsim, kolaps në shëndetësi, stagnim ekonomik, shpopullim dhe migrim masiv, diplomaci të dështuar dhe me sanksione nga Bashkimi Europian.

“Në fund të këtyre takimeve, Kryetari Memli Krasniqi njoftoi Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve të PDK-së për hapat e ardhshëm të opozitbërjes dhe kërkoi përkushtimin e tyre në implementimin e vizionit të partisë” – thuhet më tej në komunikatë.

Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për një qeveri kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme.