Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, 16.05.2024. Foto: Memli Krasniqi, Facebook

Krasniqi ia tregon ambasadorit Hovenier arsyet pse PDK-ja kërkon zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi e ka njoftuar Hovenierin për qëndrimet e PDK-së rreth zhvillimeve aktuale dhe për arsyet e kërkesës së kësaj partie për zgjedhje të parakohshme.

“Ne besojmë se vendi është në stagnim të plotë dhe ata që po e pësojnë më së shumti janë qytetarët tanë” – ka shkruar Krasniqi, më 16.05.2024.

Takim me ambasadorin Hovenier ka zhvilluar sot edhe presidentja, Vjosa Osmani, mirëpo nuk ka pasur prononcime për media.

Kreu i PDK-së është takuar me Kryeministrin, Albin Kurti më 13.05.2024 për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat ai i ka quajtur domosdoshmëri.

Kurti është shprehur i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Ftesës së Kurtit për takim nuk i janë përgjigjur pozitivisht LDK dhe AAK. Këto dy parti kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Dy ditë pas takimit, më 15.05.2024, Memli Krasniqi, deklaroi se partia e tij nuk ka asnjë vijë të kuqe për asnjë nga partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së vendosen t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.