
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
KQZ numëron 99.72 për qind të votave, këto janë rezultatet preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e fundit nga numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025 në ora 22:12 janë numëruar 99.72 për qind e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.
Nga rezultate aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Ndërsa numërimi i votave po vazhdon edhe për kandidatët e subjekteve politike për deputetë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë procesit të numërimit të votave është përballur me disa probleme teknike që kanë shkaktuar vonesa në publikimin e rezultateve.
KQZ ka njoftuar se më 12.02.2025 në ora 16:00 ka filluar numërimi i votave në Deçan, Gjakovë, Drenas, Skenderaj, Gjilan, Fushë-Kosovë, Shtërpcë, Mitrovicë e Jugut, Kamenicë, Viti, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.