KPK reagon ndaj deklaratave të Kurtit për Banjskën: Rri larg e mos ndërhyj në sistemin prokurorial!

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të qëndrojë larg sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese.

Ky reagim i KPK-së vjen pas kritikave të sotme të Kurtit ndaj prokurorisë e cila, sipas tij, përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

“Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale” – thuhet në reagim.

Deklaratat e Kurtit KPK i ka quajtur të ricikluara e tendencioze ndaj Prokurorisë së Shtetit dhe të bazuara në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime e hamendësime. Të tilla, Këshilli Prokurorial ka thënë se bëhen në secilin rast që u jepet mundësia nga kryeministri e kabineti i tij.

“Prandaj, KPK-ja, përfundimisht, dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit Kurti, duke potencuar se sistemi prokurorial nuk do të ndikohet këto deklarata që vijnë nga qarqet e larta politike, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të qytetarëve të Kosovës” – ka shkruar më tej Këshilli Prokurorial.

Prokuroria Specialë është gjithmonë në dispozicion për të ndarë informacionin e nevojshëm me publikun dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, duke pasur parasysh gjithnjë parimet e mbrojtjes së informacionit dhe hetimeve aktuale.

Në deklaratën e tij të sotme, Kurti ka thënë se mosngritja e asnjë aktakuze dhe as informimi mbi çështjen e Banjskës është e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”- theksoi kryeministri Kurti gjatë një konference për media së bashku me ministrin, Xhelal Sveçla, ku edhe shpalosën disa detaje mbi sulmin e 24 shtatorit.

Shefi i Qeverisë gjatë konferencës gjithashtu tha se ish-zyrtari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja në Kosovë.