Kosovo 2.0 organizon tryezë të rrumbullakët, diskutohet për gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin

Organizata e pavarur mediatike Kosovo 2.0 ka organizuar sot një tryezë të rrumbullakët me temë “ Çka ndodhë online, nuk mbetet online”, ku u disktua për çështjen e gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit në media.

Jeton Mehmeti, Autor i fletës së fakteve “Korniza rregulluese dhe vetërregulluese kombëtare kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit”, tha se duhet bërë një dallim mes gjuhës së urrejtjes si nocion dhe terminologji.

“E para çka është konstatuar është se duhet bërë një dallim mes gjuhës urrejtjes si nocion dhe terminologji dhe të tjera të cilat i përdorim në diskursin tonë sikurse keqinformimi, dezinformomi, propaganda, e të tjera, më të vetmen arsye se disa nga këto rregullohen me ligje civile”, tha Mehmeti.

Ai shpjegoi se gjuha e urrejtjes përdoret për të sulmuar një individ apo një grup të caktuar bazuar në karakteristikat e tyre.

“Gjuha e urrejtjes përdoret për të sulmuar një individ apo grup të caktuar mbi disa prej tipareve të cilat janë karakteristikë e tyre sikurse që është etnia, gjinia, feja, orientimi seksual, madje edhe aftësitë mendore dhe fizike të personave dhe çdo gjuhë që përdoret me qëllim të denigrimit e individëve është gjuhë e urrejtës”, ka shpjeguar Mehmeti.

“Ajo se çka e bën të veçantë gjuhën e urrejtjes është se kjo formë e gjuhës së urrejtjes është vepër penale e cila rregullohet me kodin penal të vendeve të rajonit dhe Kosovës gjithsesi”, shtoi ai.

Mehmeti gjithashtu ka thënë se jo në të gjitha vendet gjuha e urrjetjes ka pasojat e njëjta.

“Jo në të gjitha vendet gjuha e urrejtjes ka pasojat e njëjta. Ta zëmë kur në disa vende kur dallimet etnike janë shumë pjesë e cenueshme e shoqërisë aty do të kemi shumë kujdes sepse pasojat mund të jenë të mëdha”, tha ai.

Tutje, Mehmeti ka theksuar tre akterët të cilët janë prodhues dhe shpërndarës të gjuhës së urrejtjesh.

“Akterët që janë prodhues dhe shpërndarës të gjuhës së urrjetjes janë politikanët të cilët kur jemi tek gjuha e urrejtjes janë edhe prodhues edhe viktima. Akterët e dytë janë prodhuesit e përmbajtjes që nënkupton prodhuesit profesional dhe jo profesional në aspektin që mediat që mediat që kanë një redaksi të qartë, shpesh herë janë më pak prodhues dhe shpërndarës të gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit. Ndërsa akterët e tretë janë qytetarët të cilët me ose pa vetëdije shprendajnë gjuhë të urrejtjes duke lëshuar komente tek rrjetet sociale”, theksoi Mehmeti.

Violeta Hyseni Kelmendi, anëtare e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, ka thënë se ka raste kur marrin ankesa jo specifikisht të gjuhës së urrejtjes, por që siç thotë ajo kërkohet të largohet përmbajtja online.

“Ne kemi raste kur marrim ankesa të asaj natyre jo specifikisht për gjuhë të urrejtjes, mirëpo në përgjithsi ankesa ku kërkohet madje edhe të largohet përmbajtja online e cila nuk është për momentin në kompetencën e KPM-së, meqenëse ne nuk e kemi ndryshuar ende ligjin e KPM-së i cili pjesërisht rregullon përmbajtjen online”, ka thënë Hyseni- Kelmendi.

“Gjuha e urrejtjes është e rregulluar në KPM përmes kodit të etikës përkatësisht janë tri nene që mund të rregullojnë këtë përmbajtje”, shtoi ajo.

Hyeni- Kelmendi tha se në media tradicionale nuk e vërejnë ndonjë përmasë shqetësuese të përdorimit të gjuhës së urrejtjes duke shtuar se nuk do të thotë se nuk ka raste fare.

“Në media tradicionale ne nuk vërejmë ndonjë përmasë shqetësuese të përdorimit të gjuhës së urrejtjes kjo nuk do të thotë që nuk ka raste fare. KPM ka pak kapacitetet e limituara duke marrë parasysh se kemi një numër shumë të madh të mediave të licensuara dhe kemi pak monitorues”, tha ajo.

Anëtarja e KPM-së theksoi se gazetarët duhet të jenë në mbrojtje të profesionit të tyre sepse sipas saj ka edhe të tillë që bëjnë gazetari edhe ata që nuk janë gazetar.

“Ajo se çfarë shohim ne si më emergjente është që të ketë një rol më të madh të vet komunitetit gazetaresk. Gazetarët duhet të jenë në mbrojtje të profesionit të gazetarit, marrë parasysh që më gazetari nuk bëjnë vetëm njerëzit profesionist por edhe ata që nuk janë gazetar”, theksoi Hyseni- Kelmendi.

Tutje, ajo tha se shpreson që këtë vit të ketë një ligj të ri në KMP dhe të kenë një kornizë më të mitë ligjore për rregullimin e medias.

“Shpresojmë që këtë vit të kemi ligjin e ri të KPM-së dhe të kemi një kornizë akoma më të mirë ligjore që do të mund të shkonte përtej formave tradicionale të rregullimit të medias”, deklaroi Hyseni- Kelmendi.

Tryeza e rrumbulakët u moderua nga Besa Luci, kryeredaktore e Kosovo 2.0, ndërsa pjesë e panelit ishin: Violeta Hyseni Kelmendi, anëtare e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave Jeton Mehmeti, Autor i fletës së fakteve “Korniza rregulluese dhe vetërregulluese kombëtare kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit” në Kosovë, e publikuar nga SEENPM, Peace Institute dhe Kosovo 2.0, Tamás Berecz, Menaxher Operacional i Rrjetit Ndërkombëtar Kundër Urrejtjes Kibernetike dhe Ardita Zejnullahu, Drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës.