Foto: Kosovo2.0 -Facebook

Në Ditën e Lirisë së Shtypit, K2.0 lanson kampanjën dhe raportin ‘Jo Pyetje Pa Përgjigje’

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata e pavarur mediatike, Kosovo 2.0 ka lansuar kampanjën dhe raportin “Jo Pyetje Pa Përgjigje”.

Në një diskutim mes kryeredaktorësh dhe gazetarësh, u fol për sfidat në ushtrimin e profesionit të gazetarisë në vend, por edhe përgjegjësitë e gazetarëve në parashtrimin e pyetjeve sfiduese ndaj zyrtarëve të institucioneve publike.

Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0, tha se për të rezultuar që kampanja të jetë sa më e suksesshme e kanë parë të rrugës të bashkëpunojnë me disa nga mediat më të mëdha në vend.

Ajo ndër të tjerash shtoi se ka arsye të ndryshme që ndikojnë në atë sa mediave u lejohet qasja.

“Sot demokracitë të formësuara ose më të reja janë në rrezik prej klasave politike që çdo herë më shumë pushtetin e shohin diçka personale. Për konferencat për shtyp, është përgjegjësi e mediave të pavarura. Kur flasim për mediat në Kosovë nuk mund të flasim për një entitet të tyre, sepse ka lloje të ndryshme të tyre. Në shumë raste ka edhe gazetarë që nuk bëjnë fare pyetje, edhe pse potencialisht mund të bëjnë ndonjë pyetje më sfiduese”, tha ajo.

Në anën tjetër, gazetarja e gazetës “Koha Ditore”, Saranda Ramaj, tha se shpeshherë pyetjet e gazetarëve janë ato që u shkojnë  për shtati vetë politikanëve, derisa foli edhe për rreziqet më të cilat përballet gazetaria.

“Agjencitë e lajmeve janë duke e rrezikuar gazetarinë. Disa të tilla kanë marrëveshje me ministri të caktuara, ku marrin mijëra euro. Çka pritet të na prodhojnë ato, një propagandë të cilën pa dashje mediat e tjera e marrin si të mirëqenë”, tha ajo.

Ndërkaq, Taulant Osmani  gazetar në BIRN, i cili ka qenë pjesë e këtij ekipi hulumtues, tha se qe 4 vjet që punon si gazetar nuk e mban mend që Zyra për Media e Presidencës i ka kthyer përgjigje.

“Ndonëse i kam me 100 e-maila që i kamë dërguar prej zyrës, shpesh madje e dërgoj e-mailin te Zyra e Presidentit që ta kryej obligimin tim dhe menjëherë më duhet t’i thërras këshilltarët e tij në telefon me ua kujtu që e kanë një e-mail edhe pse e di që nuk kthejnë përgjigje, por nëse munden të paktën të më japin një përgjigje përmes telefonit”, tha ai.

Kurse, kryeredaktori i KALLXO.com, njëherësh autor i emisionit Drejtësia në Kosovë, Kreshnik Gashi, foli për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve për shpenzimin e parasë publike.

“Sot Kosova nuk e din saktësisht sa vende e kanë njohur. Me pyet kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm kanë me pas dilema. Sot kryeministri i vendit nuk e di saktë sa zëvendësministra i ka. Sot Kosova nuk e din sa autostrada i ka dhe sa kanë kushtuar ato. Shifrën nuk e kemi kurrë të saktë. Sot ende nuk e kemi përgjigjen pse janë harxhuar 53 milionë euro për autostradë, dhe këtë pyetje nuk e dëgjojmë më”, theksoi ai.

Gashi foli edhe për mohimin në qasje të dokumenteve publike.

“Sot nuk mund ta dimë sa i kushton një drekë kryeministrit të Kosovës, për shkak se zyra e kryeministrit Haradinaj vazhdon me refuzu me i hap faturat edhe pse ekziston një vendim i gjykatës i cili e njeh si shpenzim publik dhe se duhet bërë publike. Kabineti i Ramush Hardinajt ekipit tonë ia ka ofruar faturat se sa ka ngrënë Hashim Thaçi në vitin 2012. Në anën tjetër për veti nuk është duke i ofru faturat”, tha ai.

Ndër të tjerash, ai i sugjeroi kolegët e tij që të mos dorëzohen në parashtrimin e pyetjeve dhe në kërkimin e llogaridhënies.

“Insistimi ynë varet dhe e determinon marrjen e përgjigjes prej anës së zyrtarëve publik që punojnë në Kosovë. Vullneti i tyre është që të mos japin përgjigje për gazetarët. Ajo që më shqetëson është fakti që në konferenca të sotme është pakësuar numri i gazetarëve të bëjnë pyetje”, nënvizoi Gashi.

Të dhënat e raportit “Jo pyetje pa përgjigje”, tregojnë se në pesë institucione publike të Kosovës, siç janë: Zyra e Presidentit të Kosovës, Zyra e Kryeminstrit të Kosovës, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policia e Kosovës, janë organizuar 62 konferenca në total.

“Prej tyre janë monitoruar 52 konferenca, prej këtyre të fundit, të hapura për pyetje kanë qenë 44 konferenca, në të cilat janë lejuar disa pyetje.  Konferenca jo të hapura për pyetje kanë qenë 8”, thuhet ndër të tjerash në raport.

Hulumtimi për këtë raport, është kryer përgjatë një periudhe të monitorimit prej katër muajsh e gjysmë, nga 15 tetori 2018 deri më 28 shkurt 2019.