Foto: KALLXO.com

Kërkohet që mediat të kontribuojnë në luftimin e seksizmit

Organizata “Kosovo 2.0” po e shënon Ditën e Lirisë së Shtypit, me moton “Liri shtypit” duke organizuar panele diskutimi të cilat trajtojnë tema rreth raportimit në media dhe sfidave të tyre.

Në pjesën e parë tema e diskutimit ishte ballafaqimi me seksizmin dhe gjuhën seksiste në media, pjesë e këtij paneli ishin Adelina Berisha, menaxhere e programit për adresim të dhunës në bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Leonida Molliqaj drejtore dhe kryeredaktore e “QIKA”.

Adelina Berisha ka thënë se varësisht nga politikat editoriale dallon edhe trajtimi i temës së dhunës në baza gjinore nga ana e mediave, teksa ka bërë thirrje ndaj mediave që rastet e dhunës në baza gjinore t’i trajtojnë më seriozisht

“Të mos mjaftohen mediat me një raportim të shkurtër që vie nga policia dhe ta plasojnë vetëm atë por të hulumtojnë më thellë sepse vetëm në këtë mënyrë u ndihmojnë viktimave të dhunës në baza gjinore” ka thënë ajo.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe Leonida Molliqaj e cila ka thënë se mediat duhet t’i shmangen përdorimit të dhunës në familje si temë për klikime dhe komente duke përdorur tituj bombastik.

Tutje, ajo ka shtuar se mediat kanë mundësi ta bëjnë ndryshimin në shoqëri.

“Media nuk e ka rol vetëm raportimin por edhe ndryshimin dhe emancipimin shoqëror” është shprehur ajo.

Shqetësuese Molliqaj e ka cilësuar edhe mungesën e grave nëpër debate politike, duke thënë se ato më shumë janë prezente kur vie fjala për barazinë gjinore apo nëpër emisione argëtuese.

Lidhur me këtë temë Adelina Berisha ka thënë se në Kosovë ka gra të zonja për tema politike por atyre nuk u jepen hapsira të mjaftueshme në media. Një shembull të grave të zonja në media, Berisha e ka cilësuar gazetaren dhe drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, Jeta Xharra.

“Një shembull i grave të forta është Jeta Xharra e cila 20 vjet ‘u then huntë’ burrave politikanë nëpër debate politike” ka thënë Berisha.

Ky organizim nga “Kosovo 2.0” pritet të vazhdojë gjatë ditës edhe me panele të tjera ku do të diskutohet rreth mediave dhe lirisë së shtypit.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet çdo 3 maj.