Harta e përdorur në Konventën ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë. Foto: Screenshot

Kosova u përshkrua si pjesë e Serbisë në hartën e përdorur në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë, deklarohet Edi Rama

Në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit të mbajtur dje në Tiranë është paraqitur një hartë, ku shihet se një pjesë e territorit të Kosovës është paraqitur me mbishkrimin ‘Serbia’.

Video e diskutimit ku është shfaqur kjo hartë, është publikuar në Facebook nga kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama dhe ka nxitur shumë reagime te mediat dhe qytetarët në Kosovë.

Rama përmes rrjetit Twitter është përgjigjur lidhur me këto reagime, duke theksuar se harta si e tillë është shfaqur gjatë prezantimit të gjigandit spanjoll Melia Group.

“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova!Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte”- ka shkruar Rama.

Edi Rama tutje ka potencuar se Shqipëria nuk është Iran që në konferenca të kontrollohen prezantimet e të ftuarve dhe se kjo konventë nuk ka qenë betejë diplomatike për njohje të Kosovës.

“Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja! E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh”- ka shtuar më tej Rama

Kosova përshkruhet si pjesë e Serbisë në hartën e përdorur në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë