Kosova posedon VAR, ndërsa Skocia jo

Edhe pse futbolli në shtetin e Skocisë është më i zhvilluar se në shtetin e Kosovës, futbolli kosovar posedon tashmë sistemin VAR ndërsa ai skocez nuk e ka një të tillë.

Kjo është bërë e ditur nga BBC e cila në një shkrim të saj ka treguar se si Kosova posedon VAR ndërsa Skocia jo.

Por këtë të premte, Federata e Futbollit të Skocisë dhe SPLF do të mbajnë një diskutim ku pritet që të bisedohet rreth mundësisë së futjes së sistemit VAR edhe në shtetin e Skocisë.

VAR si sistem është përdorur për herë të parë në vitin 2018, për t’i anashkaluar gabimet e mundshme që mund të ndodhin në një ndeshje futbolli nga gjyqtarët.

Por cila ka qenë arsyeja kryesore që deri më tani VAR nuk është përdorur në Skoci?

Shefi kryesor i SPLF-së, Neil Doncaster ka thënë që arsyeja që VAR nuk është përdorur lidhet me implikime financiare.

Po ashtu BBC, ka folur edhe për sistemin VAR që po implementohet në Kosovë.

“Në divizionin e lartë të Kosovës – një ligë e cila përmban 10 ekipe dhe pesë ndeshje në javë – janë instaluar gjashtë kamera në çdo stadium, ndërsa një furgon gjithashtu udhëton në çdo ndeshje”, shkruan BBC.