Kosova në Procesin e Berlinit, kërkohet heqja e masave kufizuese nga ana e BE-së

Kosova po konsiderohet si shteti i cili i ka përmbushur në mënyrën më profesionale obligimet e dala nga Procesi i Berlinit, krahasuar me vendet tjera në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA). Njëherazi, ky proces vlerësohet të jetë një nga instrumentet më të mira për të ngritur zhvillimin ekonomik.

Kështu u tha në një tryezë diskutimi mes Komisionit për Integrim Evropian në bashkëpunim me GIZ-in, me temën “Rritja e integrimit rajonal: Roli i Kosovës në Procesin e Berlinit dhe në kryesimin e CEFTA-s”.

Përderisa u zhvillua ky diskutim, Kosova vazhdon të jetë nën masat kufizuese të Bashkimit Europian. Heqjen e këtyre masave e kërkoi kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi.

“I bëj thirrje BE-së që të hiqen masat ndaj Kosovës, sepse Kosova është vend europian dhe duhet t’i hapet rruga drejt Bashkimit Europian bashkë me vlerat demokratike të saj”, tha Krasniqi.

Bashkimi Evropian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Krasniqi tha se si kryetare e komisionit ka pasur privilegjin të dëshmoj hapat e rëndësishëm që ka bërë Kosova drejt integrimeve europiane dhe se ka qenë pjesëmarrëse aktive në Procesin e Berlinit.

“Kosova do të jetë e përkushtuar në rritjen e lehtësimit të tregtisë dhe nxitjen e një tregu më konkurrues dhe më të integruar”- tha ajo.

Ndërsa, zëvendësuesi i Drejtorit të përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, Zef Dedaj, tha se Kosova ka dizajnuar politikat e nevojshme që përkojnë në harmoni me frymën e Bashkimit Europian.

“Unë insistoj dhe mendoj që Kosova ka qenë në disa fusha shteti më profesional në përmbushjen e obligimeve që kanë dalë krahasuar me vendet tjera të CEFTA-s. Ka edhe shumë raporte tjera ku Kosova performon shumë mirë dhe është shumë më mirë e renditur se shtetet e rajonit”- tha ai.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Conrad, u bëri një thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në gjendje të ngrisin pesha të renda dhe të gjejnë zgjidhje përkundër rrethanave të vështira politike”- , tha ai.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së CEFTA-s, Danijela Gaqeviq, tha CEFTA është parë si një gurthemel i krijimit te qasjes për tregjet e BE-së.

“Roli i saj është i dyfishtë pasi ne përpiqemi t’i përkrahem kompanitë në ketë rrugëtim shumë kompleks”- tha ajo.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2015 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel dhe nuk është një proces formal i politikës së Bashkimit Europian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ky proces është mbështetur edhe nga shtetet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera.

Procesi i Berlinit përbëhet nga samitet vjetore, duke mbledhur udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, shtetet anëtare të BE-së dhe palët përkatëse të interesit për të planifikuar dhe sinkronizuar veprimet. 

Kjo iniciativë kishte për qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë të gjashtësesh së Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati deklaruar se ky proces është i nevojshëm për integrimin në BE.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur disa kapituj për anëtarësim në BE, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vitin e kaluar kanë hapur negociatat për anëtarësim.

Kurse, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë të fundit nga shtetet e rajonit sa i përket rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE.