Foto: Dogana e Kosovës

Kosova e rriti rreth 4.5 milionë euro importin nga Kina në shkurt

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 9 përqind në muajin shkurt 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019-të, gjegjësisht në vlerë prej 227.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 208.6 milionë euro në vitin 2019.

Eksporti mbulon importin me 13.6 përqind.

Në muajin shkurt rritet eksporti për rreth 50 përqind ndërsa importi mbi 13 përqind

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2020 kishte vlerën 35.9 milionë Euro, ndërsa importi 263.3 milionë Euro, që është një rritje prej 49.4% për eksport, si dhe 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 48.1 përqind  të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.8 përqind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.5 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.0 përqind e përbëjnë produktet minerale, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.2 përqind e përbëjnë produktet minerale; 12.0 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.7 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9 përqind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.6 përqind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.9 përqind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.1 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.4 përqind e përbëjnë produktet bimore, etj.

Nga BE-ja në Kosovë erdhën mbi 137 milionë euro mallra

Në muajin shkurt, Kosova u shiti mallra vendeve të Bashkimit Evropianë mbi 12 milionë euro me partnerë kryesorë Gjermaninë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë Euro, ose rreth 34.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 46.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.6%), Italia (5.5%), Suedia (4.3%), Holanda (3.9%), Britani e Madhe (3.6%), etj.”, thuhet në komunikatë.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 137.4 milionë euro, ose 52.2 përqind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 18.6 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 14.3 përqind, Italia 5.3 përqind, Sllovenia 4.9 përqind, Greqia 4.4 përqind, Bullgaria 3.6 përqind, Kroacia 3.3 përqind, etj.

Rritet eksporti e bie importi i Kosovës me vendet e CEFTA-së

Sipas ASK-së, në muajin shkurt 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.1 milionë euro, ose 50.4 përqind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 54.7 përqind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria  33.0 përqind, Maqedonia 8.8 përqind, Serbia 4.7 përqind, dhe Mali i Zi  2.2 përqind.

Importet nga vendet e CEFTA-s pësuan rënie prej -13.6 përqind

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2020, arritën në 28.7 milionë Euro, ose 10.9% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-13.6%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (5.8%), Shqipëria (4.3%), dhe Serbia (0.2%).”, bën të ditur komunikata.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5.4 milionë Euro, ose 15.1 përqind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra  8.5 , dhe Turqia 3.3 përqind. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 97.2 milionë euro, ose 36.9 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 11.2 përqind dhe Kina 10.3 përqind.

Nga vendi ku shpërtheu pandemia “Coronavirus COVID-19” ,Kina, Kosova importoi mallra në vlerë 27 milionë e 21 mijë euro ndërsa në muajin e njëjtë të vitit 2019, nga Kina ishin importuar mallra në vlerë prej 22 milionë e 547 mijë euro. Përkundër  shfaqjes së pandemisë, Kosova rriti importin e mallrave nga ky vend për 4 milionë e 474 mijë euro më tepër.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit statistikore  lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2020.