Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. FOTO: Bajram Begaj/Facebook.

Kosova drejt Këshillit të Europës, Begaj: Arritje e merituar, dëshmon përkushtimin ndaj vlerave europiane

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka quajtur një arritje të merituar vendimin e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Begaj vlerëson se kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave europiane.

“Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane”- ka shkruar Begaj në X.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës raport- opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, me 31 vota për dhe 4 kundër.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakoyannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.