Koreografia me tanke e Cërvena Zvezdës, reagon Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas koreografisë me tanke të tifozëve të klubit serb Cërvena Zvezda.

Këta tifozë në ndeshjen e djeshme ndaj Fiorentinës në Beograd kanë prezantuar një pankartë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e mbi këtë thirrje shihet edhe një tank e flamuri serb.

Kryeministri Kurti pas kësaj ka thënë se thirrjet për dhunë janë të pandërprera.

Ai këtë e lidhi me një situatë të ndodhur në vitin 1990, kur sipas tij tifozët e klubit serb të futbollit Cërvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë – ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera” – ka thënë kryeministri në Twitter.

Sot Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj këtij rasti.

FFK-ja ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë në UEFA, duke kërkuar nga organet e këtij institucioni që të hetojnë me urgjencë këtë rast.

“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve” – thuhet në reagimin e Federatës kosovare.

“Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës”.

Tutje, FFK-ja ka thënë se ky rast bën të kuptohet se duhet urgjentisht që organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.

FFK ka thënë se shpresojnë dhe besojnë që ankesa e reagimi i tyre do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.

Po ashtu është thënë se FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.

Koreografia me tanke e Crvena Zvezda, FFK deponon ankesë në UEFA