Foto: KALLXO.com

Konstituohet Komisioni parlamentar për hetime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme

Edhe pse nuk ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, më 27.03.2024, u konstituua Komisioni hetimor lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, në cilësinë e kryetares së Komisionit shpjegoi se mungesa e pesë anëtarëve në mbledhje është si rezultat i takimeve dhe i vizitave të tyre jashtë vendit.

Megjithatë, në mbledhje morën pjesë gjashtë deputetë: Time Kadrijaj (AAK), Fitore Pacolli (LVV), Haxhi Avdyli (Lista Guxo-LVV), Arbëresha Kryeziu (LVV) Gazmend Gjyshinca (LVV) dhe Vlora Dumoshi (LDK).

Kaq kanë mjaftuar që komisioni hetimor të konsiderohet i konstituuar.

Deputetët që munguan janë: Ariana Musliu-Shoshi (PDK), Hisen Berisha (PDK), Jeta Statovci (Lista Guxo-LVV), Rrezarta Krasniqi (LDK) dhe Erxhan Galushi (Grupi multietnik).

Deputeti Haxhi Avdyli tha se është joserioze mungesa e iniciuesve të themelimit të Komisionit, duke aluduar në deputetët e PDK-së.

Ai akuzoi opozitën që po organizon mbledhje të tilla në ditë të rëndësishme për Kosovën.

Sipas tij, kjo është një pjesë e fushatës kundër ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.

“Është një koincidencë që ditën e themelimit të këtij komisioni është mbajtur debati në Kuvend, ndërsa kryeministri dhe zëvendëskryeministrja kanë qenë në Këshillin e Sigurimit në OKB. E tash, ky komision po miratohet në fazën e suksesshme të Kosovës që ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës”- tha Avdyli.

Kadrijaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk dëshiron të bëjë debat politik, megjithatë theksoi se opozita gjithmonë ka lobuar për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Nuk kam dashtë të bëj debat politik. Kam votuar në Kuvend. E ka aprovuar Kryesia në bazë të atij vendimi. Ajo që ka qenë iniciuese [Ariana Musliu- Shoshi] është në Evropë dhe po lobon shumë për anëtarësim të Kosovës në KiE”- tha Kadrijaj.

Në Këshillin e Evropës sot do të mbahet një mbledhje e Komisionit për Çështje Politike të Asamblesë në Paris, në të cilën raportuesja për Kosovë, Dora Bakojanis do të paraqesë raportin e saj që përmban një draft opinion për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, kur e ka propozuar themelimin e këtij Komisioni në fund të javës së parë të shkurtit, e arsyetoi duke thënë që kanë informata që ka edhe persona të tjerë të cilëve u janë dhënë kontrata të ngjashme si ajo e Gani Jakupit.

“Pasi kemi pasur fakte të mjaftueshme për degradimin e shërbimit diplomatik e po ashtu mediat kanë zbuluar një sërë kontratash për njerëz të angazhuar me shuma marramendëse që s’ka ndodhur më herët, si rasti i Gani Jakupit, paga e të cilit kalon çdo limit e standard në Kosovë”- tha Tahiri.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë më herët për KALLXO.com që gjatë periudhës kohore 2022/2023 në Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjë konsulentë të jashtëm të angazhuar për çështje kulturore dhe mediatike, përpos Gani Jakupit.

Ndërkaq, edhe pse KALLXO.com ka dërguar pyetje nëse ka kontrata tjera pas dhjetori, pavarësisht insistimit nuk ka marrë përgjigje.

Më 27.12.2024, KALLXO.com kishte arritur që përmes rrugës ligjore të marrë qasje në kontratën e Gani Jakupit, pas kërkesave të shumta për ta pasur këtë kontratë për të cilën e dërgoi rastin edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Kontrata është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.Çmimi i plotë i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.