Konjufca takohet me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca përgjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në takim nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.

Sipas një komunikate për media, Konjufca dhe kongresistja Pelosi shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Kosovës nga ShBA-së.

Kryeparlamentari ka theksuar se “Kosova dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë”.

“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”- ka deklaruar Konjufca.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli.

 

Konjufca gjatë ditës së djeshme është takuar me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin kanë diskutuar për marrëveshjen e Ohrit.

“Në takimin përmbajtjesor me z.Escobar diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë  për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë” – kishte shkruar Konjufca në Facebook.

Sipas Konjufcës në Kosovë nuk mund të ketë asociacion që cenon sovranitetin e vendit, për çka ai ka marrë garanci edhe nga Esobar.