Konjufca pret në takim ambasadorin e Sllovenisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, me të cilin thuhet se ka diskutuar për raportet e mira që të dy vendet kanë ndërtuar ndër vite.

Kuvendi i Kosovës bën të ditur se ambasadori Bertoncelj i përcolli kryeparlamentarit Konjufca urimet e homologut të tij slloven, Dejan Židan, me rastin e zgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës.

“Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në të gjitha proceset, ndërsa përkrahjen për Kuvendin e saj e konsideroi të një rëndësie të veçantë”, thuhet në komunikatë.

Konjufca ka shtuar se përmes kësaj mbështetjeje, Kuvendi ka arritur të avancojë kapacitetet në shumë aspekte të punës së tij, ndërsa theksoi nevojën që bashkëpunimi midis dy parlamenteve të forcohet edhe më tej në të ardhmen.