Ministri i Mbrojtjes dhe ambasadori slloven bisedojnë për planin për shërbimin e obligueshëm ushtarak

Shërbimi i obligueshëm ushtarak ka qenë njëra nga temat që janë biseduar sot në një takim të Ministrit të Mbrojtjes Anton Quni dhe Ambasadorit të Sllovenisë, Bojan Bertoncelj.

Njoftimi i Ministrisë thotë se ka qenë ambasadori Bortoncelj ai që ka shprehur interesimin për këtë çështje ndërsa ministri Quni i ka treguar se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë në proces të tranzicionit.

“Ministri Quni, rreth interesimit të ambasadorit Bertoncelj, për propozimin lidhur me shërbimin e obligueshëm ushtarak, theksoi se, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, janë në proces të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, proces i cili do të zhvillohet në mënyrë transparente, brenda kornizës kohore të planifikuar, në transparencë të plotë dhe si gjithmonë në koordinim të plotë me partnerët tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrotjes.

Tutje në njoftim thuhet edhe se Ministri Quni ka kërkuar nga ana e ambasadorit slloven mbështetje për Kovosën në rrugën e saj drejt integrimit evropian në BE dhe NATO.

Ambasadori Bortoncelj gjithashtu kishte sjellë një letër urimi për ministrin Quni për marrjen e pozitës së drejtuesit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo letë erdhi nga ana e homologut slloven të Qunit.

Sllovenia gjithashtu kishte shprehur gatishmëri për mbështetje.

“Në fjalën e tij, shprehu gatishmërinë e shtetit slloven dhe mekanizmave të saj të sigurisë dhe mbrojtjes në mbështetjen e mëtejmë në arritjen e objektivave të Ministrisë në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes dy ministrive dhe forcave”, thuhet në njoftim.