Konjufca nderon ushtarët britanikë të rënë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nderuar sot ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat kanë humbur jetën në Kosovë.

Konjufca ka bërë homazhe dhe vendosur lule te memoriali kushtuar ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar, që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

“Në ceremoninë e Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, krahas kryetarit Glauk Konjufca dhe ambasadorit Nicholas Abbott, morën pjesë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, drejtues të FSK-së, KFOR-it e të misioneve të tjera në Kosovë” – thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.