Senati amerikan, Foto: Senate.gov

Senati i SHBA miraton marrëveshjen dypartiake të borxhit duke shmangur një falimentim potencial

Senati i SHBA e ka miratuar të enjten legjislacionin dypartiak të mbështetur nga presidenti Joe Biden përmes të cilit hiqet tavani i borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh të qeverisë, duke shmangur atë që do të kishte qenë një falimentim historik.

Senati votoi 63 me 36 në favor të miratimit të projektligjit të mërkurën nga Dhoma e Përfaqësuesve, teksa ligjvënësit më në fund kishin arritur një pajtim pas disa muajsh grindjeje partiake midis demokratëve dhe republikanëve.

Departamenti i Thesarit kishte paralajmëruar se nuk do të ishte në gjendje t’i paguante të gjitha faturat e tij më 5 qershor nëse Kongresi nuk do të vepronte deri atëherë.

“Ne po e shmangim falimentimin sonte” – ka deklaruar të enjten udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ndërkohë që drejtonte legjislacionin përmes dhomës së tij prej 100 anëtarësh.

Përpara votimit, senatorët kanë kaluar gati përmes një duzinë amendamentesh – duke i hedhur poshtë të gjitha ato – përpara votimit përfundimtar duke i dërguar projektligjin Biden për nënshkrim në ligj përpara afatit të së hënës.

Me këtë legjislacion, kufiri ligjor i huamarrjes federale do të pezullohet deri më 1 janar të vitit 2025.

Schumer dhe homologu i tij republikan, udhëheqësi i pakicës, Mitch McConnell, mbajtën premtimin e tyre për të bërë gjithçka që mundeshin për ta shpejtuar projektligjin e negociuar nga Biden dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy./France24

Përgatiti: Nuhi Shala