Komuna e Prizrenit

Komuna e Prizrenit reagon për fotografinë përshëndetëse të nxënësve për ofensivën turke në Siri

Komuna e Prizrenit ka reaguar të hënën ndaj një fotografie të shpërndarë në rrjete sociale në të cilën shihet një arsimtar duke bërë ‘selfie’ me nxënësit të cilët bënin një përshëndetje ushtarake, simbol i dtëve të fundit për ta nderuar ofensivën ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve në Siri

“Këto ditë nëpër rrjete sociale dhe media është publikuar një fotografi ku shihen nxënësit e shkollës ShFMU “Motrat Qiriazi” dhe mësimdhënësi i kësaj shkolle, e cila ka shkaktuar reagim në opinion me pretendim për abuzim ndaj fëmijëve”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren tha se është duke e “shqyrtuar hollësisht” këtë rast dhe është në koordinim të plotë me Inspektoratin e Arsimit, për mbledhjen e informacioneve nga terreni. “Andaj, në momentin e kompletimit të të gjitha informacioneve, DKA do të merr masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e komunës së Prizrenit.

“Me këtë rast DKA thekson se në hapësirat shkollore nuk është i lejuar aplikimi i asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi me fëmijë dhe iu bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në respektimin e ligjeve dhe të drejtave të fëmijëve”, thotë komuna e Prizrenit.

Më herët, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka reaguar lidhur me një fotografi e cila është publikuar në media, ku shihet një person i rritur dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

Fotoja brenda shkollës me përshëndetje ushtarake për Turqinë, reagon MAShT

MAShT njofton se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti në mënyrë që të marr masa.

Sipas tyre, shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

“MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhet tutje njoftimin e MAShT-it.