Komiteti rus e konfirmon vdekjen e Yevgeny Prigozhin në rrëzimin e avionit

Komiteti hetimor i Rusisë, i cili shqyrton krimet e rënda, ka thënë se e ka konfirmuar se udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte në mesin e njerëzve të vrarë në rrëzimin e avionit të së mërkurës. Pas testimit mjeko-ligjor, të 10 trupat e gjetur në vend janë identifikuar dhe identitetet e tyre “përputhen me manifestin”. Komiteti nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë mund ta ketë shkaktuar rrëzimin.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase ka konfirmuar kalimin e sigurt të një anijeje të dytë përmes Detit të Zi nga porti ukrainas i Odesa-s, pas tërheqjes së Rusisë në korrik nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB që lejon eksportin e grurit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë të ketë dërguar një avion luftarak në përgjigje të një droni zbulues të Forcave Ajrore të SHBA-së mbi Detin e Zi. Agjencia e lajmeve Tass thotë se droni nuk kishte shkelur kufirin shtetëror të Rusisë.

Autoritetet ukrainase kanë nisur një hetim pasi një përplasje në ajër mes dy avionëve luftarakë në perëndim të vendit la të vrarë tre pilotë. Një nga pilotët, Andriy “Juice” Pilshchykov, kishte udhëtuar në Uashington DC verën e kaluar për t’i takuar anëtarët e Kongresit të SHBA dhe për të lobuar për avionët F-16.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se zgjedhjet kombëtare mund të zhvillohen gjatë kohës së luftës nëse partnerët ndërkombëtarë ndajnë koston, ligjvënësit miratojnë dhe të gjithë shkojnë në votime. Zelenskiy i është përgjigjur komenteve të senatorit amerikan Lindsey Graham, i cili, duke lavdëruar përpjekjet e luftës, tha se Ukraina duhej të tregonte se ishte ndryshe duke mbajtur zgjedhje në kohë lufte.

Bashkëthemeluesi i kompanisë ruse të teknologjisë Yandex ka bërë një kërkesë zyrtare për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj tij, në një test të mundshëm nëse BE do ta ketë një pikëpamje më simpatike ndaj figurave që distancohen nga Kremlini.

Rusia raportoi një seri tjetër sulmesh me dronë në territorin e saj në orët e para të së dielës. Zyrtarët thanë se sulmet vranë të paktën një person në një rajon në kufi me Ukrainën dhe përsëri detyruan mbylljen e përkohshme të tri aeroporteve kryesore që i shërbenin kryeqytetit, Moskës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala