Oliver Varhelyi; Foto: Bashkimi Evropian

Komisioneri i BE-së për Zgjerim jep detaje rreth takimit joformal në Tiranë

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka thënë se në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i gjashtë vendeve.

“I ftuar nga kryeministri Edi Rama në Tiranë për të diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Së bashku me kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, folëm mbi Strategjinë e Re të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Jemi të përkushtuar që ta zbatojmë shpejt këtë plan konvergjence” – është shprehur Varhelyi.

Në takimin joformal të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ani pse ishte ftuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ishte nikoqir i këtij takimi.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive nga kryeministri Edi Rama ngjalli diskutime për një “krisje të raporteve” mes Ramës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më 7 korrik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Kosovën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca por jo me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.

Qeveria konfirmon se Kurti nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Rama në Tiranë