Kombet e Bashkuara: Më shumë se 5 milionë ukrainas janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi

Shifrat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) tregojnë se numri i njerëzve që janë larguar jashtë Ukrainës që kur Rusia e pushtoi këtë vend më 24 shkurt, tani është 5,010,971.

Kelly T Clements, zëvendësshef i UNHCR-së, iu drejtua dje Këshillit të Sigurimit të OKB-së me fjalët se “tetë javë pas konfliktit, kemi 5 milionë të larguar dhe po i numërojmë ende, me 5 milionë histori unike të humbjeve dhe traumave.

Më shumë se 218,000 shtetas të vendeve të treta, kryesisht studentë dhe punëtorë migrantë, kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin (IOM). Gratë dhe fëmijët përbëjnë 90% të atyre që kanë ikur.

Sipas vlerësimit të fundit nga IOM, 7.1 milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës.

Kjo do të thotë se më shumë se një e katërta e popullsisë së Ukrainës prej 44 milionë banorësh të paraluftës ose është larguar nga vendi ose është zhvendosur brenda në më pak se dy muaj.

“Gratë, fëmijët dhe të moshuarit i kanë lënë shtëpitë e tyre, jetën e tyre, djemtë, baballarët dhe burrat e tyre.Secili nga miliona të zhvendosur janë të detyruar të marrin vendime të pamundura, të vështira dhe kanë lënë gjithçka prapa, pothuajse çdo gjë, më të dashurit e tyre,” ka shtuar Kelly T Clements.

Duke iu drejtuar gjithashtu këshillit të sigurimit të OKB-së dje, shefi i IOM-it, António Vitorino, paralajmëroi se më shumë se gjysma e fëmijëve të Ukrainës janë të zhvendosur.

Shumë prej tyre janë të cenueshëm ndaj trafikimit, “dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit” nga rrjetet kriminale duke përfituar nga kriza, paralajmëroi Vitorino./The Guardian