Komandanti i KFOR - Kurtit: Përparimi drejt stabilitetit të qëndrueshëm në mbarë Kosovën kërkon më shumë sesa praninë e KFOR-it

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutas është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 24.05.2024.

Ky takim mes kryeministrit Kurti dhe komandantit të KFOR-it vjen pas mbylljes së gjashtë njësive të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica) në veri të vendit nga Policia e Kosovës, më 20.05.2024.

Përmes një komunikate për media, KFOR ka njoftuar se komandanti i tyre, Ulutas në këtë takim ka theksuar se aksionet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe që duhet të ruhet koordinimi i duhur midis të gjitha palëve të interesuara. 

Me këtë rast, komandanti Ulutas ia ka përsëritur Kurtit mbështetjen e KFOR-it dhe të NATO-së ndaj Kosovës.

“Ai gjithashtu përsëriti angazhimin e palëkundur nga i tërë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit të gjatë të misionit të Kombeve të Bashkuara për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të siguruar për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme dhe ai përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-së ndaj dialogut të lehtësuar nga BE në mes Beogradit dhe Prishtinës, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të mirën e të gjitha komuniteteve” – thuhet në komunikatën e KFOR.

Teksa ka përmendur se roli i KFOR vazhdon të jetë esencial për stabilitetin e rajonit dhe që misioni i udhëhequr nga NATO mban një qëndrim të dukshëm dhe fleksibil në terren që u lejon të përgjigjen efektivisht ndaj çdo zhvilimi relevant të sigurisë, komandanti Ulutas ka numëruar edhe përforcimet e KFOR në një dekadë.

“Në përgjigje ndaj dhunës së viteve të kaluara, ne kemi bërë përforcimin më të madh të KFOR-it në një dekadë, duke vendosur pothuajse 1000 trupa shtesë, ne kemi katërfishuar prezencën e KFOR-it në veri të Kosovës dhe trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative” – ka deklaruar komandanti Ulutas.

Tutje, Ulutas ka theksuar se “përparimi drejt stabilitetit të qëndrueshëm në mbarë Kosovën kërkon më shumë sesa praninë e KFOR-it”. 

KFOR ka përmendur edhe një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, të cilën e kishte thënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, më 20.11.2023.

“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës dhe duke respektuar aganzhimet ekzistuese” – kishte thënë Stoltenberg.

Si përfundim, KFOR ka përmendur faktin se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezulutën 1244 të vitit 1999, të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe se KFOR vepron si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët shprehen se punojnë në koordinim të ngushtë. 

Përveç Kurtit, komandanti i KFOR ka takuar më 24.05.2024 edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani. 

Presidenca ka bërë të ditur përmes një njoftimi se gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me sigurinë në vend.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, me ç’rast Komandanti ka prezantuar vlerësimet e situatës së sigurisë në vend nga ana e KFOR-it, si dhe e ka njoftuar Presidenten Osmani për veprimet që po ndërmerren në këtë drejtim”- thuhet në njoftimin e Presidencës në Facebook.

Sa i përket aksionit të Policisë në veri të vendit më 20.05.2024, sipas një komunikate për media, ky operacion rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”- thuhet në komunikatë.

Policia tha se gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.