Kleriku tha se nuk u lejuan të mbajnë liturgjinë në kishën ortodokse në oborr të UP-së, flet Policia e Kosovës

Mëngjesin e sotëm, famullitari Stanisha Arsiq ka pretenduar se zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës ua kanë ndaluar që të kryejnë liturgji në kishën ortodokse, e cila gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Policia e Rajonit të Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se mbajtja e liturgjisë në kishën ortodokse brenda kampusit të UP-së, nuk ka qenë e paralajmëruar.

Liturgjia sipas famullitarit Arsiq ishte menduar të mbahet në nder të Festës së Shpëtimtarit.

“Sot rreth orës pesë e gjysmë, klerikët nga Kisha e Shën Nikollës janë nisur për të shërbyer Liturgjinë e Shenjtë me rastin e Ditës së Shpëtimtarit në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, mirëpo pasi një polic na legjitimoi, ai na ndaloi ta zhbllokojmë kishën, afër nesh ishte një kordon prej tetë policësh, ndërsa në anën tjetër vumë re edhe dy vetura të tjera me policinë, për të na penguar të mbajmë liturgjinë”, ka thënë për Kosovo- Online, Arsiq.

Në anën tjetër Policia e Kosovës ka thënë se rreth orës 4 e 30 të mëngjesit të sotëm, kanë ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët ishin shtetas të huaj.

“Ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej. Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.

Tutje, të njëjtit shtojnë se aktiviteti në fshatin Bardhosh ka qenë i paralajmëruar dhe sipas kompetencave policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të ngjarjes.

Kujtojmë se vitin e kaluar një liturgji e ngjashme ishte mbajtur brenda objektit të Kishës Ortodokse e cila gjendet në kampusin universitar.

Pas mbajtjes së kësaj liturgjie të shumta ishin reagimet e figurave publike.

Klerikë ortodoksë serbë organizuan liturgji në kishën ortodokse në oborr të UP-së në Prishtinë