KGjK u pagoi gati gjysmë milion euro të arrestuarve e të dënuarve padrejtësisht

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) u ka paguar gati gjysmë milion euro të arrestuarve e të dënuarve padrejtësisht, gjatë vitit 2021, në 149 raste.

Në raportin e KGjK-së, theksohet specifikisht se gjatë 2021-s janë shpenzuar 457,501.28 euro për kompensimin e dëmit për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye.

Komisioni për Kompensimin e Dëmit për Personat e Dënuar ose Arrestuar pa arsye ka shqyrtuar dhe kompensuar 149 raste për shkak të privimit të tyre pa bazë ligjore dhe pa arsye.

“Në përputhje me Ligjin për KGJK dhe Rregulloren mbi organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit, Komisioni për Kompensimin e Dëmit për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye, gjatë vitit 2021 ka shqyrtuar dhe kompensuar gjithsejtë: njëqind e dyzet e nëntë (149) raste në shumën prej, 457,501.28 €, për shkak të privimit të tyre pa bazë ligjore dhe pa arsye”, thuhet në raportin vjetor të KGJK-së.