Festivali FemArt. Foto: Facebook/FemArt

Këtë muaj mbahet edicioni i 8-të i festivalit ‘FemArt’

Edicioni i 8-të i “FemArt” do të realizohet nga 15 deri 20 tetor 2020 në Prishtinë.

Motoja e sivjetme e këtij festivali është “Solidariteti dhe Qëndrueshmëria”, ndërsa koncepti dhe formati i festivalit “FemArt” këtë edicion ka ndryshuar si rezultat i përballjes me COVID-19.

Organizatorët e festivalit, përmes një njoftimi bëjnë të ditur se në solidaritet dhe përkrahje “FemArt” do të sjellë këtë edicion me krijime artistike origjinale nga artistet dhe aktivistet e vendit.

“Motoja e festivalit FemArt 2020 është “Solidariteti dhe Qëndrueshmëria”. Solidariteti si parim i mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Qëndrueshmëria si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin”, thuhet në njoftimin e “FemArt”.

Festivali “FemArti” është festival feminist i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka arritur që përmes artit të mirë dhe kualitativ të krijuar nga artistet dhe aktivistet të fuqizoj gratë dhe vajzat në njohjen e të drejtave të tyre të plota me qëllim të arritjes së barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, dhe shoqërore.