Këta drejtorë të policisë do t'i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë

Agjenica Kundër Korrupsionit ka njoftuar se qindra zyrtarë të instituconeve do t’i nënshtohen një kontrolli të plotë të pasurisë.

Në mesin e këtyre zyrtarëve sipas listës së publikuar nga AKK kontrollit të plotë të pasurisë do të i nënshtrohen edhe disa drejtorë të departamenteve të Policisë së Kosovës.

Nuk ka shumë kohë që AKK kishte publikuar të gjitha pasuritë e deklaruara të zyrtarëve të shtetit. Përveç kësaj, AKK do të bëjë një kontroll të thellë të pasurive të zyrtarëve të lartë.

Pasuria e Drejtorit të Krimeve Ekonomike brenda Policisë së Kosovës, Bashkim Spahiut, do të kontrollohet në tërësi nga AKK.

Spahiu, në deklarimin vjetor ka deklaruar se pasuria e tij e paluajtshme përbëhet nga një banesë, një shtëpi, një tokë dhe një pyll, të gjitha në emër të tij, kapin vlerën e 163 mijë euro ndërsa ajo e luajtshmja nga dy vetura, njëra e dhuruar nga vëllai në vlerë 4 mijë euro, një e blerë në vlerë 5 mijë euro dhe pajisje bujqësore në vlerë 6 mijë euro, e në total 15 mijë euro.

Përvec Spahiut, një kontrolli të plotë të pasurisë do të i nënshtrohet edhe Drejtori Kufitar në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Krasniqi në deklarimin e fundit të pasurisë ka treguar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë të 350 mijë eurove, ku hynë një tokë dhe një banesë si dhe pasuri të luajtshme në vlerë të 8 mijë eurove ku hyn një veturë.

Krasniqit në prill të vitit 2019 i është ndëruar pozita nga drejtor rajonal i Policisë së Rajonit të Prizrenit në atë të Kufirit në po të njëjtin qytet.

Për Krasniqin, KALLXO.com pati raportuar disa herë, edhe për rastin ku pati deklaruar se ish- aktivisti i LVV-së Astrit Dehari kishte përdorur medikamente në ditën kur ishte gjetur i vdekur brenda qelisë së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe në lidhje me disa fotografi të publikuara të Krasniqit me një person i cili dyshohej për falsifikim të lejeve të armëve si dhe një person tjetër i cili ishte dënuar për trafikim me narkotik.

Një kontrolli të plotë të pasurisë do t’ i nënshtrohet edhe ish- Drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar, Agron Nezaj. Pasuria e paluajtshme e deklaruar e Nezajt në AKK është 270 mijë euro.

Edhe Nezaj kishte kaluar në Njësinë Speciale në prill të vitit të kaluar kur drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rashit Qalaj, bëri ristrukturim të brendshëm dhe ndërrim të pozitave brenda strukturave të policisë.

Edhe pasuria e ish- Drejtorit Rajonal të Prishtinës, Rexhep Sijarina do t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë.

Emri i Sijarinës, i cili tani është duke punuar në pikë kufitare është i vendosur në listën e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa në deklarimin e pasurisë, të këtij viti, i njëjti ka deklaruar se pasuri të paluajtshme ka në vlerë të 220 mijë eurove ndërsa te pasuria e luajtjshme ka dy vetura në vlerë të 11 mijë e 500 eurove.

Në listën e AKK-së hynë edhe Drejtori i Departamentit për Trajnime, Kastriot Jashari. Të njëjtit do t’i kontrollohet pasuria gati gjysmë milionëshe ose më saktë 471 mijë eurove.

Në këtë pasuri hyjnë, toka, një shtëpi e një banesë.

Kontrollit të pasurisë nga AKK do t’i nënshtrohet edhe Drejtori Rajonal i Gjakovës, Lumni Graishta edhe ai i Prizrenit, Faton Alija.